,

BERATI dhe Shqiperia


Parashikimi i motit në Berat në këto momente, dhe parashikimi për 5 ditët në vijimKliko ketu per parashikimin e motit ne Shqiperi.
Berati me 65.000 banorë, është qyteti i 6-të në Shqipëri për nga numri i popullsisë.
Historia
Berati u përket qyteteve të rrallë ku jeta fillon qysh në lashtësinë e thellë dhe vazhdon pa u ndërprerë deri më sot. Dy çekanë guri e datojnë fillimin e jetës në të para Periudhës së Bronzit (2600-1800 P.Kr.). Dëshmitë arkeologjike tregojnë se në shek. VII-VI P.Kr. Këtu është zhvilluar një vendbanim paraqytetar, me punishtet e tij të qeramikës dhe me një jetë shoqërore të diferencuar. Në kufijtë e legjendës dhe të historisë, ky vendbanim thuhet të ketë qenë Orestiada e lashtë, i quajtur kështu ngaqë aty banonin një fis i pellazgëve, orestët, i pari i të cilëve ishte Oresti, i biri i Agamemnonit. Qyteti i mirëfilltë u themelua më 313-310 P.Kr. si qytet-kështjellë i Dasaretisë, i quajtur Antipatrea nga mbreti Kasandër në kujtim të gjeneralit mëkëmbës të Lekës së Madh. Ky është emri i parë i qytetit. Pas pushtimit romak në shek. II P.Kr. ai u quajt prej tyre Albanorum Oppidum (Fortesa e Arbërve). Në shek. V, nën perandorinë Bizantine, u përforcua dhe e ndryshoi emrin në Pulheriopolis (Qytet i bukur). I pushtuar nga bullgarët në shek. IX, u quajt Belgrad (Qytet i bardhë) – Berati i sotëm.
Gjeografia
Qyteti i Beratit është ngritur fillimisht si kështjellë, mbi kodrën shkëmbore me lartësi 187 m mbi nivelin e detit, në krahun e djathtë të lumit Osum, para se ky të dalë në fushën e Myzeqesë, më e madhja e Shqipërisë. Rrethi i Beratit shtrihet në Krahinën Malore Qendrore e pjesërisht në Ultësirën Jugperëndimore të Shqipërisë, në koordinatat: gjerësi gjeografike: Veri 40 gradë 52'24”; Jug 40 gradë 29'30” (qyteti 40 gradë 41'06”); gjatësi gjeografike: Lindje 20 gradë 10'51”; Perëndim 19 gradë 44'30” (qyteti 19 gradë 56'40”). Rrethi mbulon një sipërfaqe prej 953,6 km katror (qyteti 1,6 km katror).
Relievi
Rrethi i Beratit shtrihet kryesisht në një territor me reliev malor e kodrinor, me lartësi mesatare mbi nivelin e detit 455 m (qyteti 58 m). Fushat shtrihen në krahun veri-perëndimor të rrethit, në luginën e Osumit, derisa ajo bashkohet me fushën e Myzeqesë. Në mjedisin natyror të Beratit dallohen: zona fushore e kodrinore e Beratit dhe e Kuçovës, mali i Tomorit (Lindje, 2417 m) dhe ai i Shpiragut (Perëndim, 1218 m) si edhe lugina e Osumit dhe e Tomoricës. Zona fushore dhe ajo kodrinore janë baza e zhvillimit të prodhimit bujqësor, ndërsa malet dhe luginat përfaqësojnë burime të mëdha pyjore, kullosore dhe hidrike, ende të pashfrytëzuara si potenciale të rëndësishme të zhvillimit ekonomik e mjedisor.
Lumenjtë
Lumi i Osumit rrjedh përmes qytetit dhe jashtë tij, afër Urës Vajgurore, bashkohet me lumin e Devollit; të dy sëbashku formojnë Semanin (gjatësia e tij brenda rrethit 32 km). Osumi është një nga lumenjtë kryesorë të vendit. Ai paraqet interes për bujqësinë, energjitikën, hidrogjeologjinë, ekologjinë dhe urbanistikën. Sipas treguesve hidrologjikë, për nga gjatësia rradhitet i 8-ti, për nga baseni ujëmbledhës i 10-ti, për nga prurja mesatare vjetore i 11-ti dhe për nga lartësia mesatare e rrjedhjes i 4-ti. Krijon rrjedhën e tij të plotë pranë Vithkuqit, vend që merret si pika e fillimit të lumit. Në basenin e Osumit veshja bimore (698 km katror ) përbëhet nga pisha, bredhi, dushku e shkurre të tjera mesdhetare. Në zonën e Çorovodës e Skraparit krijon kanione vertikale shumë të bukur, me forma të ndryshme, me thellësi deri 150 m e 15-20 m të gjera. Osumi transporton në Seman 995 milionë m kub ujë në vit, me prurje mesatare 32,5 m kub /sek (në Berat 25-26,9 m kub /sek). Sasia vjetore e prurjes së ngurtë 1,356 milionë m kub. Gjatësia e Osumit brenda rrethit është 51 km.
Klima
Klima e rrethit është tipike mesdhetare, me temperaturë mesatare vjetore 15,9 gradë C. Temperatura mesatare e muajve më të ftohtë është 7,2 gradë C dhe ajo e muajve më të nxehtë 24,6 gradë C. Temperatura absolute më e ulët ka qenë –11,2 gradë C dhe ajo maksimale 43,6 gradë C. Sasia mesatare vjetore e rreshjeve është 928 mm, kryesisht në muajt e dimrit. Qyteti i Beratit është i ventiluar mirë dhe ajri është i pastër falë edhe gjelbërimit brenda qytetit dhe në kodrat që e rrethojnë. Tokat bujqësore janë kryesisht të hinjta-kafe, me shpërndarje: 36% në fushë, 38% në zonë kodrinore dhe 26% në zonë malore.

    Sugjerime per kete faqe...


Eja e krijo nje website me webhosting profesional
Komente nepermjet Facebook
Ndersa nepermjet Disqus, View Comments

0 commenti »

Leshoni komentin tuaj!

Site Meter