POGRADECI dhe Shqiperia
Parashikimi i motit në Pogradec në këto momente, dhe parashikimi për 5 ditët në vijim. Kliko ketu per parashikimin e motit ne Shqiperi.
Ky qytet vecohet për rëndesinë turistike në Shqipëri*
Historia
Emri i qytetit të Pogradecit lidhet me historinë e krijimit të qytetit. Enkelejtë kanë qenë fis që kanë jetuar brenda mureve të kalasë së ndërtuar në majë të kodrës pranë qytetit, në pjesën veri-perëndimore të qytetit. Dikur qyteti kishte dimensionet e kalasë, ku momentalisht gjenden vetëm rrënojat. Me rritjen e popullsisë dhe mbarimit të luftërave lindi nevoja e zgjerimit. Fillimisht rrëzë kodrës e më vonë deri në atë skaj saqë kalaja e vjetër nuk përbënte më qendrën e qytetit. Pogradeci ka një histori të lashtë dhe dokumenta të shumta kulturore, gjeologjike dhe natyrore. Gërmimet arkeologjike në kodrën mbi qytet kanë zbuluar një vendbanim Ilir të shekullit V para Krishtit, që i përket fiseve të lashta Desaret dhe mbase Enkelejve. Gjatë shekujve në vazhdim njerëzit e fshatit zbritën poshtë në rrëzë të kodrës dhe krijuan qytetin e Pogradecit, përgjatë bregut të Liqenit të Ohrit. Zbulimet arkeologjike, që konfirmojnë popullimin në këtë rajon, datojnë nga Periudha Neolitike (6000vj.P.K.), me popullsi dhe ndërtime në rritje gjatë periudhave të Bakrit, Broncit dhe Hekurit. 24 monumente natyre dhe 36 monumente të kulturës janë zyrtarisht të dokumentuara. Disa nga monumentet më interesante janë:
• Rrënojat e një vendbanimi Ilir dhe një kishë Kristiane me mozaikë shumëngjyrësh janë gjetur në fshatin piktoresk të Linit i cili ndodhet në brigjet e Liqenit të Ohrit.
• Fshati i Selcës së sipërme i populluar që nga shekulli VI p.k. , kërkonte të bashkohej në betejat e Alexandrit të Madh. Pesë varre të lashtë monumentalë me hyrje të gdhendura tregojnë famën e qytetit të fuqishëm antik të Pelionit, ku ka jetuar mbreti ilir, Klit.
• Rruga Romake Via Egnatia kalon përmes rajonit, nga Ohri, përgjatë fshatrave të Mokrës dhe mbaron në detin Adriatik në Durrës. Ura e Golikut (shek. XVII) ndërtuar mbi Lumin Shkumbin është gjurmë e kësaj rruge të vjetër romake.
• Burime të shumta ujore përfshi Burimet e Drilonit ku uji i pastër dhe i kristaltë rrjedh në Lumin Drilon dhe më pas në liqen.
• Shpella të shenjta dhe një kishë ndodhen pranë Qaf-Thanes dhe kufirit me Maqedoninë. Pikturat e bëra nga heremitët në mesjetë mund të shihen në kishë dhe në muret e shpellës.
Në Gadishullin e Linit mozaikët që datojnë shekullin e VI – VII të magjepsin me bukurinë e tyre, por gojëdhëna për perandorin Justinian të bizantit të shekullit të VI është shumë joshëse. Gojëdhëna thotë: Justiniani, perandori me origjinë ilire, në një moment kritik ka fshehur në brigjet e Liqenit të Ohrit në afërsi me Gadishullin e Linit një pjesë të rëndësishme të thesarit të perandorisë bizantine. Kjo gojëdhënë ka katërmbëdhjetë shekuj që vjen deri në ditët e sotme.
• Rrënojat e kalasë të shekullit IV në kodrën mbi Pogradec kanë disa formacione interesante me mure të parregullt gurësh. Që nga kalaja e vjetër, liqeni dhe pamjet e maleve janë të mrekullueshme, si është dhe pamja e formacionit shkëmbor Guri i Kamjes. Kalaja e Pogradecit është e vendosur në majën e kodrës, në pjesën perëndimore të qytetit të Pogradecit, me lartësi 205 m mbi nivelin e liqenit të Ohrit. Ka filluar të banohej që në shek. V para Krishtit, ndërsa në shek. IV para Krishtit u pajis me mure mbrojtëse. Ka pasur një vjetërsi banimi prej 1400 vjetësh, duke qenë një kala iliro - shqiptare e hershme.
Eksploro Pogradecin, një rajon me histori të pasur dhe shumë vendbanime të hershme arkeologjike, të cilat j`u presin t`i zbuloni!
Invadimi avaro-sllav në shekullin e VII-VIII dhe sidomos perandoria Bullgare në shekujt XI-XII ndryshoi mënyrën e jetës në këtë zona nga ajo "polis" (jetohej brenda mureve të kalave) në atë sedentare fushore duke formuar vendbanime me toponimi sllave. Kjo ka lëne gjurme në gjuhën dhe kulturën tonë. Pogradeci do të shkruhej "Pogda grada", që do të thotë "nën qytet". Tashmë qyteti i ri shtrihej nën kalanë e vjetër ilire që është Kalaja e Pogradecit.
Qytetarë nderi: Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli e Luan Starova.
Ekonomia
Pogradeci në të kaluarën ka qenë një qendër e rëndësishme industriale në Shqipëri. Për tu përmendur në atë kohë janë industria e kromit, e hekurit, e nikelit, e qymyrit, e turizmit (deri në vitet '90 qyteti pothuajse trefishohej gjatë verës), peshkimit, e përpunim drurit, pijeve etj.
Transporti
Pogradeci ndodhet rreth 139 km larg nga Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, 40 km larg nga Korça, 5 km larg nga Tushemishti (pikë kalimi kufitar me Maqedoninë), 25 km larg Ohrit (qytetit përballe Pogradecit në anën tjetër të liqenit).
Aeroporti më i afërt është ai i Ohrit. Pogradeci është ndalimi i fundit i linjës hekurudhore Tiranë-Durrës-Elbasan-Librazhd-Pogradec.